Tregoju shokeve per kete faqe


Asnjë master për diplomat "ruse"
Wednesday, 29 October 2008 09:26

Dekani Rrokaj: Kurrikulat i kemi dorëzuar, nuk janë miratuar ende

Të gjithë personat e interesuar për të ndjekur një master të nivelit të dytë do të duhet të presin sërish. Deri tani universitetet publike në vend nuk ofrojnë ndonjë mundësi të re për ata persona që kanë një diplomë të sistemit të mëparshëm "rus" të shkollës së lartë. Pra, ata që kanë një diplomë universitare 4-vjeçare. Në krye të listës mbeten studentët e sistemit të Bolonjës (3+2), që janë në pritje të shpalljes së fituesve për pjesën e dytë të studimeve, pas përfundimit të 3 viteve të para.

Nga ana e tyre, disa prej përfaqësuesve të fakulteteve të ndryshme të Universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, pohojnë se i kanë dërguar në Ministrinë e Arsimit kurrikulat për të zhvilluar edhe masterat e nivelit të dytë, por ende nuk ka një përgjigje për këtë. Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, pohon se aktualisht janë duke menaxhuar procesin për masterat e nivelit të parë, për studentët që kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve, sipas sistemit të Bolonjës. "Lidhur me kurrikulën e masterave të nivelit të dytë, ne i kemi dërguar në MASH dhe presim edhe për to miratimin, si dhe përcaktimin e kuotave të kritereve përzgjedhëse dhe të tarifave të studimit", u shpreh dekani Rrokaj.

Por, nga ana tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit pohojnë se jo në të gjitha rastet, kur kurrikulat janë dorëzuar në këtë institucion, ato i përmbushin kërkesat dhe standardet për t‘u miratuar e për të lejuar më pas edhe aplikimin e masterave të nivelit të dytë. Ky program studimi nuk është realizuar as një vit më parë, pas vendimit të marrë nga MASH-i për rinovimin total të këtyre studimeve.

Tashmë, Universiteti i Tiranës është në pritje të fillimit të programeve të studimit të ciklit të dytë (DND), pra për të gjithë studentët që kanë përfunduar tre vitet e para të studimit në auditorët e UT-së. Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat dhe tarifat për këto studime, ndërsa Ministria e Arsimit zbardhi udhëzimin e posaçëm për ekzekutimin e vendimit për të gjitha institucionet e arsimit të lartë.

Universitetet publike në vendin tonë deri tani do të mund të ofrojnë studime të avancuara të programit të ciklit të dytë, vetëm në Tiranë, si dhe programe studimi, master të nivelit të parë (MNP) edhe në universitetet e rretheve.

Janë të shumtë personat që interesohen për të filluar një master, pasi kanë përfunduar studimet me sistemin e vjetër 4-vjeçar, atë rus. Madje, shumë prej tyre, pohojnë se edhe siguria e tyre në vendet e punës lidhet pikërisht me marrjen e një diplome master. Lidhur me këtë çështje, Jorgaq Kaçani, kryetar i Konferencës së Rektorëve, shprehet se deri në një periudhë kalimtare 4 - 5-vjeçare institucionet shtetërore duhet të garantojnë mbajtjen në punë të këtyre personave (pa master). Kjo, pasi ata nuk ka arsye që t‘u nënshtrohen studimeve master të nivelit të parë. "Diplomat e fakulteteve me sistemin e vjetër e përfshijnë edhe këtë nivel studimi, pra masterin e nivelit të parë", shprehet Kaçani. Sipas tij, ata duhet të frekuentojnë mastera të nivelit të dytë.
Comments (3)add comment

Ola said:

jam nje studente qe kam dorzuar dosjen per te krzer SHPU-ne po ende asnje pergjigje nuk e kuptoj pse gjith kjo negliyhence nga ana e Ministrise se arsimit.
May 17, 2009

Besa said:

Jam nje studente e sapo diplomuar dhe do te kisha interes qe te mesoja sesi do te procedohet me studentet qe kane perfunduar arsimin e larte kater vjecar.Ministria duhet te jet me e pergjegjshme ne informimin tone.
March 12, 2009

Julia said:

jam nje nga studentet qe kam dorezuar dosjen per te kryer Masterin por ende asnje pergjigje. Si une jane dhe shume te tjere qe synojne te vazhdojne me tej me formimin e tyre. Per ne qe kemi diplome kater vjecare nuk po kujtohet ministria qe te aprovoje kerkesat e dekanatit dhe te publikoje fillimine studimeve. Ministria e Arsimit po na neglizhon. Edhe sikur disa departamente te mos i plotesojne standartet per te fillur keto studime Ministria dihet te beje te pamunduren qe kjo gje te arrihet dhe jo te komunikoje qe ky apo ai fakultet nuk i ploteson standartet.
February 20, 2009

Write comment
smaller | bigger

busy