Tregoju shokeve per kete faqe


Hiqet nga puna mbrojtësi i "I.Qemalit"
Thursday, 23 October 2008 20:03

VLORE -Shkarkohet nga detyra ish-rektori i Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës, Kreshnik Bello, aktualisht pedagog në Fakultetin e Drejtësisë së këtij universiteti. Lajmi është bërë me dije dje në mesditë nga vetë doktori i shkencave, Bello, i cili njihet si një nga figurat qendrore të Universitetit të Vlorës.

Mësohet se në urdhrin zyrtar të pushimit nga puna, theksohet se Bello, që ka mbaruar studimet në një nga universitetet më të njohura të Turqisë, nuk ka bërë konvertimin e diplomës në sektorin përkatës të Ministrisë së Arsimit. Motivacioni për pushim nga puna duket paksa i çuditshëm, pasi pedagogu Kreshnik Bello ka mbrojtur titullin doktor i shkencave dhe masterin pranë këtij komisioni. I habitur jo pak nga vendimi që i është komunikuar nga drejtuesit e Universitetit të Vlorës, Bello ka deklaruar se bëhet fjalë për një "hakmarrje" të pastër nga rektori aktual, Tanush Shaskaj. Sipas tij, shkaku kryesor i largimit nga puna është fakti se ai ka qenë një nga kundërshtarët më të flaktë të titullarit të këtij institucioni arsimor (Shaskajt), i cili disa kohë më parë kërkoi heqjen e emrit të patriotit të madh Ismail Qemalit, nga Universiteti i Vlorës.

VENDIMI
Vazhdojnë përplasjet mes stafit drejtues dhe pedagogëve në Universitetin e Vlorës. Lajmi i fundit që na vjen nga qyteti bregdetar, është ai i pushimit nga puna të pedagogut Kreshnik Bello, i cili numëron 7 vite punë në këtë universitet. Ende nuk është e qartë nëse vendimi për pushimin e tij është firmosur nga Ministria e Arsimit, apo thjesht është marrë nga rektori Tanush Shaskaj. Ky i fundit dje nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment në lidhje me pushimin nga puna të ish-paraardhësit të tij. Gjithçka konfirmohet nga vetë Bello, i cili tregon se është nxjerrë një pretekst, ku thuhet se nuk paska konvertuar diplomën që ka marrë në një nga universitetet e Turqisë.

REAGIMI
"Unë u pushova nga puna, pasi dihet se kam qenë një nga kundërshtarët më të flaktë të Shaskajt për të mos hequr emrin e Ismail Qemalit nga universiteti i Vlorës", - është shprehur Kreshnik Bello. Ai sqaron se komunikimi i vendimit ishte i papritur për të dhe për më tepër motivacioni. "Vendimmarrësit pretendojnë se unë nuk kam bërë konvertimin e diplomës në komisionin përkatës në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë që në universitetin ku kam studiuar, kam qenë një nga studentët më të mirë të tij dhe për këtë flasin të gjitha dokumentacionet që disponoj", - sqaron Bello. Mësohet se Kreshnik Bello ka qenë deri në zgjedhjet e reja në këtë universitet dekan i Fakultetit të Tregtisë dhe të Ekonomikut. Po ashtu, ai ka qenë njëkohësisht edhe rektori i komanduar nga Ministria e Arsimit gjatë gjithë kohës së zhvillimit të fushatës elektorale në këtë universitet, fushatë që nxori fitues pikërisht rektorin aktual, Tanush Shaskaj. Ndërkaq, Bello pohon se heqja e tij nga puna është vetëm fillimi i një sërë largimesh të tjera që do bëhen në universitet. Ai thotë se ka një listë të zezë në dorë që është përpiluar nga Rektorati i Universitetit, në të cilën përfshihen emrat e të gjithë atyre që kundërshtuan heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga ky universitet. Ndërsa sot Kreshnik Bello do të japë një konferencë për shtyp në lidhje me pushimin nga puna, nga ana e Rektoratit dhe vetë rektorit Shaskaj nuk jepet asnjë informacion.

Comments (1)add comment

eri123 said:

o zoti shaskaj ke per te shkuar ne burg mor burr shume shpejt. shume vendime te nxituara po merr . ka akoma burra me te fort vlora e sidomos tere studentet qe studjojn aty. vet ata do te heqin nga posti.
September 26, 2009

Write comment
smaller | bigger

busy