|
Ministria e Arsimit, ndërsa përgatit propozimet për Këshillin e Ministrave për miratimin e kuotave universitare, duket se nuk merr aspak parasysh tregun e punës. Në një përfundim të tillë kanë arritur ish-specialistë të këtij sektori. Ndërkohë që janë me mijëra të rinjtë, që kanë mbaruar edhe këtë vit studimet e larta në universitetet publike në vend, por punësimi i tyre mbetet thjesht në duart e njohjeve dhe tarafeve. Apo në rastin më të keq vendosin të braktisin vendin dhe të kërkojnë një zgjidhje në emigracion.
Por, duket se drejtuesit e MASH nuk janë shumë të shqetësuar për këtë fakt, pasi matricat e tyre nuk e parashikojnë edhe punësimin e të rinjve, që arsimohen në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, deklaroi dje se nuk është e thënë që të punësohet çdo i diplomuar. Dhe aktualisht në një vend ku statistikat e tregut të punës janë objekt vetëm i atyre që bëjnë sikur i përpunojnë, specialistët e arsimit nuk kanë pse i ngrenë propozimet e tyre mbi bazë të këtyre statistikave. Dhe gjithmonë ka një justifikim për çdo veprim. "Kemi ikur nga faza e planifikimeve 5-vjeçare, ne ju japim kuota të caktuara dhe të përcaktuara. Ne bëjmë nj ë politikë të tillë për të favorizuar me bursa në degët që kemi nevojë", shprehet më tej zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj.
Nga ana tjetër duket se vëmendja është përqendruar në një tjetër drejtim, në atë të formimit profesional. Numri dy i MASH-it, tha se po punohet edhe për një strategji afatgjatë për zhvillimin e arsimit profesional në vend, që do të çonte në formimin e shumë të rinjve, për të cilët tregu i punës ka nevojë. Aktualisht, numri i strategjive, që çdo ministri mban në sirtarët e saj, është për t‘u pasur zili. Problematike, sikundër rezulton në praktikë, mbetet zbatimi i tyre. Këtë vit, qeveria miratoi rreth 20 mijë kuota pranimesh për studentët e rinj në universitete. Ndërkohë që, si një vit elektoral, ku zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë vetëm disa muaj larg, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit vendosën që të japin edhe një "bonus": shtimin e 5 kuotave për çdo degë të plotësuar në universitetet publike, si dhe çeljen e disa degëve të reja, kryesisht në institucionet e arsimit të lartë në rrethe.
Kjo përpos faktit se më shumë se 2500 të rinj lanë vende bosh, pasi preferuan të braktisin universitetet tona publike për të studiuar jashtë vendit, aty ku diploma ka vlerë dhe njohje ndërkombëtare. Por sërish, degët e reja të sapoçelura duket se nuk do ta provojnë sfidën e mësimdhënies, pasi numri i studentëve nuk arrin normën e pranuar me ligj. Edhe këtë herë, duket për t‘iu shmangur dështimit, Ministria e Arsimit vendosi hyrje të lirë në të gjitha degët e pa preferuara. Të rinjtë i janë sulur vetëm universiteteve të Tiranës, të cilat konsiderohen si më të pranueshme, për nga standardet, ndonëse nga shumë aktorë të arsimit cilësia e tyre ka qenë e diskutueshme. Sipas të dhënave zyrtare, ka një dyndje të të rinjve, sidomos në degët e shkencave sociale. Mungesë interesi është vënë re sidomos për degët e mësuesisë dhe shkencave ekzakte, ndonëse tregu i punës mendohet se ka një ofertë më të mirë për këto degë.
Burimi: Gazeta Shqip
 |