|
Provimet e vjeshtës, sot provimi i detyruar i Matematikës |
|
Thursday, 16 October 2008 10:54 |
|
Rreth 6 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe gjimnazeve në rang vendi, që rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore, do të zhvillojnë sot provimin e detyruar të Matematikës. Pas 15 ditësh këta nxënës do të njihen me përgjigjet e provimit. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, bën të ditur se vetëm në Tiranë, në provimin e Matematikës do të marrin pjesë rreth 700 nxënës mbetës.
Në datën 8 tetor rreth 5 mijë nxënës në rang vendi u nënshtruan provimit të detyruar të Gjuhë-Letërsisë, ku vetëm në kryeqytet, morën pjesë 520 nxënës. Përveç dy provimeve të detyruara të Maturës, për nxënësit e klasave të katërta të shkollave të arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të shkollave të mesme të përgjithshme (me kohë të shkurtuar), të cilët kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë zbatohen “Dispozitat Normative të Shkollave Publike. Me mbarimin e sesionit të dytë të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, nxënësit përfundojnë vitin shkollor 2007-2008. Por vetëm vitin e ardhshëm ata do të mund të marrin pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nëse do të dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.
 |