Mblidhet jashtë radhe Senati i Universitetit të Tiranës. Kërkohet ekspertizë për godinën e Fakultetit Juridik Senati vendos që mësimi të vazhdojë normalisht, ndërsa studentët kanë paralajmëruar për pezullim ditor
Gjendja problematike e godinës së Fakultetit Juridik ka mbledhur në një sallë të përbashkët, jashtë radhës, anëtarët e Senatit të Universitetit të Tiranës. Qëllim i takimit midis akademikëve ka qenë zgjidhja e menjëhershme e situatës së krijuar në godinën e Drejtësisë, e cila rrezikon të shembet si pasojë e kushteve jo të mira arkitektonike.
Në mbledhjen e zhvilluar në orët e pasdites së djeshme, Senati i UT-së, ka vendosur që paçka problematikës së krijuar dhe kushteve jo të favorshme, mësimi në Fakultetin Juridik të vazhdojë normalisht deri në gjetjen e zgjidhjes së duhur. Ata kanë kërkuar nga instancat përkatëse ngritjen e një grupi inxhinierësh, të cilët do të bëjnë të mundur vlerësimin e gjendjes fizike të objektit, i cili ka pësuar krisje në katet e sipërme të tij.
I pranishëm në mbledhjen e jashtëzakonshme të Senatit të Universitetit të Tiranës, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Skënder Kaçupi, u shpreh se krijimi i komisionit për verifikimin e situatës në godinën e institucionit që ai drejton do të bëjë të mundur zbardhjen e të gjithë situatës në të cilën ndodhet objekti.
Në fjalën e tij, dekani i Juridikut pohoi se ka bërë kallëzim penal në Prokurori ndaj drejtuesve të punimeve në shtesën e Fakultetit të Shkencave Sociale, të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre kanë dëmtuar rëndë godinën ngjitur, që i përket Fakultetit Juridik. “Është e vërtetë që situata është serioze. Ne i kemi dërguar shkresën përkatëse rektoratit të Universitetit të Tiranës, me të cilën e kemi njohur me problemin”, - tha dekani Kaçupi.
Pas kryerjes së kallëzimit në Prokurorinë e Tiranës, tashmë drejtuesit e Fakultetit Juridik presin mbërritjen e grupit të ekspertëve, të cilët do të nisin hetimet mbi shkaqet e dëmtimit të godinës dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të personave të përfshirë në këtë skandal.
Dita e djeshme ka kaluar e qetë në Fakultetin Juridik. Pas pezullimit njëorësh ditën e martë, studentët kanë preferuar të ulen në auditore, duke pritur zhvillimet e reja nga zyra e dekanit të fakultetit, i cili u ka siguruar se Senati i Universitetit të Tiranës do të dalë me një vendim të posaçëm lidhur mbi fatin e mëtejshëm të godinës ku ata zhvillojnë leksionet.
Burime nga Këshilli Studentor i Fakultetit Juridik, bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” se në rast mosveprimi në ditët në vazhdim është marrë në konsideratë edhe pezullimi ditor i leksioneve deri në momentin e zgjidhjes së problemit. Aktualisht në godinën 3-katëshe, marrin dije rreth 1500 studentë, jeta e të cilëve është e rrezikuar nga çasti në çast.
Nëse do të supozonim të mirëqenë një fakt të tillë, atëherë përmasat e tragjedisë në Fakultetin Juridik do të ishin shumë më të mëdha se ato të ndodhura në Gjirokastër, ku jo më larg se 6 ditë më parë, 3 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u lënduan seriozisht, si pasojë e shembjes së një pallati.
G99-ta: “Krisja në Juridik, krizë e arsimit në vend”
Aktivistë të grupimit G99, kanë vizituar ditën e djeshme, ambientet e Fakultetit Juridik në Tiranë, duke parë nga pranë gjendjen katastrofike në të cilën ndodhet godina. Të alarmuar nga krisja e mureve ata kanë përkrahur protestën e studentëve të këtij fakulteti. Duke folur në një nga sallat, tashmë jashtë funksionit, Erion Veliaj, drejtues i G99-s, u shpreh se janë dy çështje që i kanë detyruar për të ngritur alarmin për këtë problem që haset në Fakultetin Juridik.
“E para është siguria e jetës, ky aset i brishtë i shqiptarëve që çdo ditë e më shumë është nën rrezik, sidomos në raste të tilla, të cilat si në Gjirokastër treguan se mund të kenë pasoja shumë të hidhura. E dyta është çështja e arsimit. Nëse rinia shqiptare, e ardhmja e kombit shqiptar, detyrohet të mësojë në klasa të krisura, me mure të krisura, atëherë kjo e ardhme është e krisur”.
Veliaj ka kërkuar në fjalën e tij që premtimet për investime në arsim mos të jenë demagogji e radhës, por të bëhen realitet. “Nëse kemi më shumë fonde për arsimin, do të kemi dhe godina më të mira, klasa më të sigurta, ku të garantojmë arsimin dhe formimin e të rinjve shqiptarë”, - u shpreh drejtuesi i G99-s, duke kujtuar se ky aktivitet sensibilizimi ishte në kuadër të fushatës 5 për qind që grupimi që ai drejton ka ndërrmarrë për rritjen e buxhetit të arsimit në mënyrë që të përbëjë 5 për qind të PBB-së.
 |