|
Tarifat e studimeve të avancuara nga 36000-70000 lekë në vit. Vendimi i Këshillit të Ministrave për studimet e avancuara, ato të nivelit të dytë dhe masterat e nivelit të parë, kanë përcaktuar edhe tarifat vjetore të shkollimit.
Kështu, saktësohet fakti se për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, do të jenë:
Në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë 40000 lekë. Po kaq do të jetë pagesa vjetore edhe për degën e Matematikës. Për të gjitha programet e tjera në këtë fakultet pagesa bëhet 56000 lekë në vit.
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja tarifat janë fikse për degët e këtyre programeve të studimit, plot 48000 lekë. Në Fakultetin Histori-Filologji, dega Arkeologji, klasifikohet te më të shtrenjtat. Frekuentimi i një viti të saj kushton 72000 lekë, po kaq edhe Trashëgimia Kulturore. Ndërsa për të gjitha programet e tjera tarifa e shkollimit që duhet të paguhet pranë këtij fakulteti është 48000 lekë.
Në Fakultetin e Shkencave Sociale një student duhet të paguajë 60000 lekë për një vit studimi, në programin e ciklit të dytë (DND). Për sa u përket pagesave në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit programi i studimeve të ciklit të dytë për një student kushton 56000 lekë. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike kjo pagesë është disi më e ulët, 48000 lekë. Në atë të Inxhinierisë Mekanike pagesa vjetore që duhet të shlyhet nga një student është 40000 lekë dhe po kaq edhe në Fakultetin e Gjeologji-Miniera.
Kjo tarifë rritet për studimet e ciklit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit me plot 60000 lekë në vit, duke e bërë atë të dytin për nga shtrenjtësia në listën e tarifave të frekuentimit të këtyre programeve të studimeve të avancuara.
Në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, pagesat janë më të ulëta. Ato arrijnë në 36000 lekë në vit për çdo student, që pretendon të thellojë njohuritë e tij universitare në studimet e ciklit të dytë. Niveli i këtyre tarifave ndiqet më pas nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, me një pagesë prej 40000 lekë. Plot 36000 lekë në vit është edhe pagesa e një studenti për Fakultetin e Shkencave Pyjore. Ndërsa në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit kjo pagesë rritet me 48000 lekë në vit.
Universitetet publike në rrethe përjashtohen nga programet e studimit të ciklit të dytë
Sapo është zbardhur vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar më 10 tetor 2008, lidhur me kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e avancuara të studimeve. Këto programe, për vitin akademik 2008-2009, përfshijnë studimet e ciklit të dytë (DND), master të nivelit të parë (MNP), si dhe programe të dyta studimi.
Numri total i kuotave të pranimit në universitete për këto tri drejtime është 4110. Në ndarjen që qeveria ka përcaktuar për këto programe studimesh të avancuara është përcaktuar që për studimet e ciklit të dytë (DND) të miratohen gjithsej 2960 kuota. Për programet e studimit master i nivelit të parë (MNP) u miratuan 1050 kuota pranimesh. Ndërsa për programet e dyta të studimit numri është më i vogël, vetëm 100 vende.
Shpërndarja
Në vendimin e qeverisë përcaktohet, gjithashtu, edhe mënyra se si do të shpërndahen këto kuota, pra cilat janë universitetet që do të kenë mundësi të aplikojnë programe të tilla të avancuara studimi. Sipas vendimit të 10 tetorit, programet e studimit të ciklit të dytë do të mund të zhvillohen vetëm në tre universitetet që ndodhen në kryeqytet. Më shumë kuota i janë akorduar Universitetit të Tiranës, si më i madhi në vend. Ai do të përfitojë 1430 kuota të lira për këto studime. Kjo edhe si pasojë e numrit më të lartë të studentëve, por më shumë prej kapaciteteve akademike të mësimdhënies. UT-ja vlerësohet se ka numrin më të lartë të pedagogëve me grada dhe tituj shkencorë. I dyti në listën e shpërndarjes së mundësive të studimit në këtë nivel me 800 kuota, është renditur Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ndërsa Universiteti Politeknik, po në kryeqytet, do të ketë 730 vende, për këtë program të avancuar studimi.
Përjashtimi
Ndërkohë, që pas zbardhjes së këtij vendimi, bëhet e ditur se asnjë nga universitetet e rretheve nuk është parashikuar, të paktën deri tani, që të mund të zhvillojë programe të tilla studimi, pra të nivelit të dytë (DND). Një situatë e tillë mësohet se është shkaktuar edhe prej mungesës së stafit akademik të kualifikuar në mënyrë të tillë që të përballojë këtë nivel studimesh. Por edhe për shkak të mungesës së laboratorëve, ambienteve dhe infrastrukturës mbështetëse të tyre, në këtë drejtim. Një vlerësim i tillë për këto kapacitete mendohet se do të jetë edhe në qendër të procesit të akreditimit që pritet të fillojë së shpejti në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë, qofshin ato publike apo private.
Masterat e mësuesisë
E kundërta ka ndodhur lidhur me programet e studimit master të nivelit të parë (MNP). Ato do të jenë vetëm në degët e ndryshme të lëndëve të mësuesisë, ndërkohë që shpërndarja e tyre prek vetëm universitetet e rretheve.
Vendimi saktëson se në universitetin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit do të ketë 410 kuota për këto studime. Në atë të Shkodrës, "Luigj Gurakuqi", 350 vende. Për universitetin "Ismail Qemali" në Vlorë janë miratuar 30 kuota dhe për "Fan Nolin" në Korçë 140 të tjera. Për Universitetin e Gjirokastrës janë parashikuar 120 vende për këtë program studimi.
Ato do të jenë për lëndët e mësuesisë, ku në krye të listës qëndron programi MNP në degët Gjuhë-Letërsi me gjithsej 240 kuota, pasuar nga ai në Gjuhën Angleze me 170 kuota, si dhe Biologji-Kimia me 160 të tilla. Për Histori-Gjeografinë janë rezervuar 120 vende dhe po kaq edhe për Matematikë-Fizikën. Mastera të tjerë janë ato të Gjuhës Italiane, asaj Gjermane dhe Frënge, përkatësisht me 60 vende të lirë. Po kaq kuota të lira janë parashikuar edhe për studimet master të nivelit të parë në Matematikë-Informatikë. Këto të fundit janë ekskluzivitet vetëm i Universitetit të Elbasanit dhe atij të Shkodrës.
Ndërsa për programet e dyta të studimit, vendimi saktëson se do të jetë vetë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ajo që do të përcaktojë mënyrën e shpërndarjes së 100 kuotave të akorduara. Por, kjo do të bëhet, në përputhje me kërkesat e paraqitura më parë nga ana e institucioneve publike të Arsimit të Lartë.
Universitetet publike do t‘i shpërndajnë kuotat e vëna në dispozicion të tyre në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar ciklin e parë në institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata që i kanë përfunduar këto studime në këto universitete.
Në rastet kur nuk ka kandidatë që plotësojnë kriteret dhe kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, universiteti ka të drejtë të plotësojë kuotën e vënë në dispozicion, me studentë që janë diplomuar në ciklin e parë në këto auditorë. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve përcaktohen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë dhe ato bëhen të ditura publikisht.
Burimi: Gazeta Shqip
 |